VLEN kërkon nga institucionet që të lokalizojnë përgjegjësinë korruptive të lotarisë!

Për të mirën e brezave tanë të ardhshëm, koalicioni VLEN shpreh
angazhimin e palëkundur për të parandaluar çdo formë korrupsioni dhe
keqpërdorimi të besimit të qytetarëve.
Me anulimin e kontratës mes kompanisë “HEJ DOOEL” dhe Lotarisë
Shtetërore, i hapet rruga përgjegjësisë së të gjithë atyre që përfituan
përmes kësaj skeme korrupsioni. I bëjmë thirrje prokurorisë dhe
instancave të tjera që të ndërmarrin hapat e duhur për zbardhjen e plotë
të këtij skandali të turpshëm, që ka shkaktuar dëme të mëdha në
shoqërinë tonë. Artan Grubi, si kreu i këtij sistemi të prishur, dhe
Perparim Bajrami, krahu i tij i djathtë në industrinë e kumarit, janë
simbole të një perandorie të ndërtuar mbi korrupsion, që cenon të
drejtat e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.
Këta persona, të lidhur ngushtë me kryesinë e BDI-së, projektuan dhe
operuan një rrjet të strukturuar për pasurim personal për veten dhe të
afërmit e tyre. Ne jemi të bindur se kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Për çdo hap të bërë drejt shkatërrimit të kësaj perandorie të ndërtuar
mbi bixhoz dhe korrupsion, organeve të rendit dhe prokurorisë u është
hapur dera për të vënë përpara drejtësisë ata që e kanë ndërtuar këtë
skemë.
Kthim mbrapa nuk ka! Ne do të luftojmë deri në fund këtë epidemi bixhozi
dhe skemat korruptive të kazinomanëve politikë. Artan Grubi dhe Përparim
Bajrami, bashkë me të gjithë ata që kanë përfituar përmes kësaj rruge të
ndyrë, do të japin llogari para drejtësisë dhe para popullit. Koha e
pandëshkueshmërisë ka përfunduar!

Marketing