Është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë për gjyqtarin Pajaziti, i cili i shqiptoi arrest shtëpiak Blerim Ramadanit

Është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarit Pajazit Pajaziti nga Gjykata Themelore Penale Shkup, i cili i shqiptoi, pastaj ia zavendësoi burgun efektiv me arrest shtëpiak ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, pas së cilës ai u arratis nga shteti, raporton TV Telma.

Marketing

Sipas burimeve të televizionit, kërkesë për inicimin e procedurës për kryerjen joprofesionale dhe të pakujdesshme të funksionit gjyqësor të Pajazitit ka bërë edhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ndonëse për momentin nuk ka konfirmim zyrtar nga Këshilli për shkak të fshehtësisë të procedurës.

Gjyqtari dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ishte pjesë e komisionit që Këshilli e themeloi së fundmi për të shqyrtuar vendimet e Gjykatës Penale të Shkupit lidhur me paraburgimin e Ramadanit.

Këshilli Gjyqësor në fillim të këtij muaji miratoi raportin e grupit punues lidhur me vendimet e Penales për paraburgimin e Ramadanit. Raportin Kambovski e elaboroi para kolegëve të tij në Këshill. Lidhur me rastin me Blerim Ramadanin, ai tha se gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin për caktimin e arrestit shtëpiak ka dhënë të njëjtat arsye për këtë masë, si edhe më parë kur ka caktuar masën e paraburgimit. Në vendim, siç ka thënë Kambovski, gjyqtari, emri i të cilit nuk është përmendur në seancë, nuk ka përcaktuar mënyrën se si njësitë kompetente sektoriale të MPB-së do ta kryejnë mbikëqyrjen.