“Oktoberfest”, Gjermania shton masat e sigurisë për festivalin e birrës

Autoritetet gjermane nuk duan të rrezikojnë, për këtë arsye, dhe kanë vendosur të shtojnë masat e sigurisë në vend në prag të festivalit të birrës dhe karnavaleve që njihet si “Oktoberfest”.

Marketing

Sulmi vdekjeprurës me thikë, i muajit të kaluar në Solingen, i ka shtyrë organet e rendit t’i paralajmërojnë pjesëmarrësit në festival se masat e sigurisë do të krijojnë radhë më të gjata në pikat hyrëse.

Për herë të parë në historinë 189-vjeçare të festivalit bavarez të birrës, do të përdoren pajisjet elektronike për zbulimin e armëve, edhe pse nuk ka aktualisht, kërcënime specifike për festivalin më të madh popullor në botë, i cili fillon të shtunën në Mynih me rrotullimin tradicional të fuçive të birrës. Festivali që përfundon më 6 tetor pritet të frekuentohet nga 6 milionë pjesëmarrës. Shtimi i masave të sigurisë vjen pas sulmit të 23 gushtit në Solingen që la tre të vdekur dhe tetë të plagosur.

I dyshuari i arrestuar për sulmin është një ish-azilkërkues sirian që duhej të ishte dëbuar drejt Bullgarisë vitin e kaluar, por që u fshihej autoriteteve. Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por pa dhënë prova.

Dhuna që tronditi Gjermaninë riktheu në plan të parë të politikës gjermane çështjen e emigracionit, duke nxitur zgjerimin e kontrolleve në të gjitha pikat kufitare tokësore të vendit, nismë kjo që do të zgjasë për gjashtë muaj.

Marketing