“Duam libra shqip” Të diskriminuar nga shteti serb, shqiptarët nga Presheva protestojnë për “identitet e dinjitet”

Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë marshuar të hënën, për sç thanë ata, kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Marketing

Një nga organizatorët e marshit tha se “nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia padrejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve”.

Ajo tha se kërkesat janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshejve të deritashme, kthimi e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.

ADVERTISING

Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.

Ata marshuan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Marshi, të cilit i prinë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, ndaloi pranë ndërtesës së komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.

Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

Pas protestës së gushtit në Bujanoc, Qeveria e Serbisë, kishte thënë se ajo ishte përpjekje e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.

Qeveria serbe i kishte hedhur poshtë akuzat e deputetit Kamberi për diskriminimin e shqiptarëve dhe për përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione nuk qëndrojnë.

Më 2001 u arrit një marrëveshje e njohur si Marrëveshja e Konçulit për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatëpikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

Qeveria serbe tha në gusht se ai plan u ndërpre nga deputeti i atëhershëm shqiptar në Kuvendin serb, Riza Halimi, në nëntor të vitit 2013. /REL