Vuçiq takim “kokë më kokë” me presidentin e Iranit, tema e bisedës: Kosova

Në Nju Jork, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takua me homologun Iranian Masud Pezeshkijan, dhe tema kryesore e bisedës, siç pohoi dhe ai vetë, ka qenë Kosova.

Marketing

Vuçiq shkroi në Instagram se e ka falenderuar Iranin për “qëndrimin e tij të palëkundur dhe të vendosur lidhur me integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”.

Serbia që nga viti 2021 e ka forcuar bashkëpunimin me Iranin, pavarësisht se bëhet fjalë për një shtet nën sanksione të BE-së, me politikën e jashtme dhe të sigurisë të së cilit është e detyruar të harmonizohet si një shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.

Beogradi zyrtar llogarit mbështetjen e Teheranit për çështjen e Kosovës, pavarësinë e së cilës Irani nuk e njeh. Vucic ka theksuar në këtë takim rëndësinë e institucionit të Kombeve të Bashkuara në përpjekjet për të intensifikuar dialogun dhe aktivitetet diplomatike me qëllim qetësimin sa më të shpejtë të të gjitha konflikteve. Kosova ka qenë temë kryesore bisede edhe mes tij dhe kreut të diplomacisë kineze, Wang Yi.

“I paraqita ministrit të jashtëm kinez situatën gjithmonë e më të vështirë të popullit serb në Kosovë dhe kërkova mbështetjen e Pekinit “në luftën për të vërtetën dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare”, ishte komenti i Vuçiç, i cili shtoi gjithashtu se Serbia i është mirënjohëse Kinës e cila në maj të këtij viti votoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundër Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.