Mickoski: Nuk pranojmë diktat bullgar

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë rrugën për integrim në familjen e madhe evropiane, kjo për faktin se ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së favorizuan Tiranën zyrtare me mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me Unionin në Luksemburg, që vazhdon tutje me hapjen e klasterit të parë. Maqedonia e Veriut mbetet peng i ndryshimeve kushtetuese, thonë nga Komisioni Evropian.   Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, fajin për këtë situatë ia hedh Qeverisë paraprake, sepse, sipas tij ka përllogaritur keq mbi supet e popullit. Insiston në kërkesat që ndryshimet kushtetuese të bëhen me prapaveprim dhe të jenë me vlefshmëri juridike në momentin kur Bullgaria ta miratojë protokollin aderues për RMV-në në kuadër të BE-së.

Marketing

“Kjo sigurisht do të ndodhë. Kjo u kumtua që kur isha në Bruksel. Kjo është sërish diçka me të cilën tregohet mesazh i keq për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sepse ne si shtet kemi kaluar shumë dhe mendoj se ne kemi bërë shumë punë që s’i ka bërë asnjë vend tjetër e që s’kanë lidhje me kriteret e Kopenhagës. Ne jemi rast i vetëm ku marrëveshjet bilaterale janë kusht në kornizën negociuese. Për mua ky është diktat. Nëse ky është kushti që RMV-ja të vazhdojë bisedimet, e thash edhe në Bruksel: Jo, faleminderit!”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.