SHBA akuza Rusisë: Po negocion për të furnizuar me armë Houthi-t e Jemenit

Qeveria amerikane ka akuzuar Rusinë se po negocion dërgesat e armëve me lëvizjen rebele Houthi të Jemenit të lidhur me Iranin, e cila ka mbajtur peng një rrugë detare jetike për tregtinë globale me sulme ndaj anijeve tregtare që nga nëntori.

Marketing

Moska po bën marrëveshjet e veta me Houthi-t për të lejuar anijet ruse të kalojnë Detin e Kuq pa pengesa, i tha AFP i dërguari special i SHBA-së për Jemenin, Tim Lederking, duke folur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Ne kemi konfirmim se rusët dhe Houthi-t janë në dialog për mënyrat për të bashkëpunuar, duke përfshirë dërgesat e armëve. Ne nuk e dimë nëse armët po transportohen edhe tani, por kemi arritur në pikën ku po japim alarmin për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë,” shpjegoi ai.

“Nëse do të ndodhin dërgesat e armëve, kjo mund të ndryshojë konfliktin”, shtoi diplomati amerikan, duke paralajmëruar kundër përshkallëzimit që do të prishte përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhjetëvjeçare në Jemen.

Vendi më i varfër i Gadishullit Arabik është përfshirë nga konflikti i armatosur që nga viti 2014, por luftimet janë ndalur kryesisht në dy vitet e fundit falë përpjekjeve të ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Lufta ka marrë jetën e qindra mijëra njerëzve dhe ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë, sipas OKB-së./abcnews.al