Faza e parë e autostradës Shkup – Bllacë, Zekolli: Shumë shpejt do të jetë në qarkullim

Faza e parë e autostradës Shkup – Bllacë është kryer dhe shumë shpejt i njëjti pritet të lëshohet në qarkullim, deklaron zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, në emisionin “Biznes Plus”. Sa i përket 10 km të tjera, sipas projektit ekzistues vështirë që mund të realizohet për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Për atë arsye, Zekolli shton se si ministri po shqyrtojnë mundësitë për gjetjen e mënyrës më të përshtatshme të realizimit edhe të kësaj pjese të autostradës.

Marketing

“Pjesa e 2 km është çështje javësh kur do të lëshohet në përdorim. Është në fazën e përpilimit të një gardhi mbrojtës dhe sinjalistikës, qoftë asaj horizontale ose asaj vertikale. Në këtë drejtim kishim disa momente jo të lakmueshme lidhur me implementimin e gjuhës shqipe në sinjalistika dhe ne kemi ndërmarrë masa si Qeveri për të përmirësuar një gabim që nuk falet.”, – deklaroi zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri.

Sa i përket rrugës Tetovë – Prizren është ndarë buxhet dhe është formuar grupi punues mes dy vendeve dhe së shpejti do të fillojë faza e projektimit.

Sa i përket 100 milion eurove, mjete këto të marra nga kredia hungareze për të përmirësuar infrastrukturën e komunave, Zekolli shton se interesimi i komunave shqiptare është në nivel, të cilat kanë konkurruar me projekte të ndryshme.