Aksident trafiku në rrugën Kumanovë-Kriva Pallankë, humb jetën një fëmijë

Një i mitur ka humbur jetën dhe një person është lënduar rëndë në një aksident trafiku që ka ndodhur dje në rrugën Kumanovë-Kriva Pallankë në lagjen Karposh, njoftoi sot Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë.

Marketing

Në aksident janë përfshirë një mjet tip “BMW” me targa të Shqipërisë dhe një motor “Yamaha”.

“Dje rreth orës 21:40 në SPB Kumanovë është raportuar se në rrugën magjistrale Kumanovë – Kriva Pallankë, në vendbanimin Karposh – Kumanovë, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një automjeti të pasagjerëve BMW me targa të Shqipërisë, drejtuar nga I.B. (37) nga Shkupi dhe një motoçikletë Yamaha i drejtuar nga një i mitur nga Kumanova. Nga lëndimet e marra në vend ka ndërruar jetë në vend një bashkëudhëtar i motoçikletës 15-vjeçari nga Kumanova, ndërsa mjeku i Urgjencës Mjekësore ka konstatuar vdekjen e tij. Ndërkaq, shoferi i motoçikletës 16-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në spitalin e Kumanovës”, njoftojnë nga MPB.

Në vendin e aksidentit kontroll ka bërë një ekip i SPB Kumanovë dhe prokurori publik, me urdhër të të cilit trupi i të ndjerit është dorëzuar për autopsi.

Shoferi është privuar nga liria, ndërsa automjeti dhe motoçikleta janë dorëzuar për ekspertizë të jashtëzakonshme teknike.