Ministrja e Energjetikës në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska deri më tani është shtetase bullgare, njoftoi agjencia bullgare e lajmeve BGNES.
Sipas informacioneve nga burime të agjencisë BGNES në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët dëshiruan të mbeten anonime, Bozhinovska nuk i është lëshuar një dekret për lirimin e saj nga shtetësia bullgare.
Vetë Bozinovska disa herë ka deklaruar se ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga shtetësia. Ajo thotë se deri më sot ka vetëm nënshtetësi maqedonase dhe çeke dhe nuk ka dokumente bullgare.
Ekspertët nga Ministria e Drejtësisë në Sofje njoftuan se procedura për heqjen dorë nga shtetësia bullgare nuk përfundon me paraqitjen e një kërkese. Nga aty përkujtuan se marrja e nënshtetësisë bullgare bëhet në bazë të dokumenteve të dorëzuara me origjinë bullgare dhe kërkesës personale për praninë e vetëdijes bullgare te kandidati.
Në qershor të këtij viti u bë e qartë se ajo drejton një kompani në Kroaci me pasaportë bullgare.
E pyetur nëse do t’i tregojë publikut një dokument që vërteton se nuk është më shtetase bullgare, Bozhinovska nga radhët e VMRO-DPMNE-së e hodhi poshtë pyetjen dhe tha se “do të duhet të konsultohet me avokatët”.
E pyetur sërish nëse kishte ende pasaportë bullgare, ajo tha: “Pyetja nuk ka lidhje me temën e konferencës për shtyp. Kam nënshtetësi maqedonase dhe çeke. Kam pasaportë maqedonase dhe çeke. “Do të më duhet të konsultohem me avokatët për këtë çështje, ata kanë kohë që e bëjnë këtë proces”.