Policia në kërkim të autorit të sulmit të mbrëmshëm në Çair, i cili plagosi një 19-vjeçar

Një nëntëmbëdhjetë vjeçar mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Çair të Shkupit i cili është qëlluar disa herë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20. Sipas policisë, i plagosuri me inicialet A.B ka deklaruar për policinë se përderisa ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Cvetan Dimov” një person me inicialet B.B. ka dalë nga një veturë dhe ka qëlluar me arme zjarri disa here ndaj tij.

Marketing

“Është konstatuar se personi i lënduar është A.B. nga Shkupi i cili në bisedë zyrtare me policinë ka sqaruar se përderisa ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Cvetan Dimov” nga vetura ka dalë B.B. dhe ka gjuajtur me armë zjarri disa here ndaj tij”, tha Goce Andreevski – MPB.

Nëntëmbëdhjetë vjeçari menjëherë pas plagosjes është dërguar në spitalin e përgjithshëm të qytetit të Shkupit, “Shën Naumi i Ohrit”, ku dhe i është dhënë ndihmë mjekësore. Gjendja e të riut sipas drejtorit të këtij spitali është stabile.

“Pacienti është në gjendje stabile, edhe më tej është nën kujdes intensiv por sot do të transferohet në repart dhe nuk ka asnjë rrezik për jetën dhe shëndetin tani për tani. I është bërë diagnozë, i janë bërë të gjitha ekzaminimet, i është bërë revizion i plagës dhe tani është në gjendje të qëndrueshme”, tha Nebojsha Nastov – Drejtor i Klinikës “Shën Naum i Ohrit”.

Arsyet e këtij incidenti ku mbeti i plagosur 19 vjeçari në Çair të Shkupi, ende nuk dihen. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndërmerren të gjitha masat për zbardhje e plotë të rastit. Ndërkohë autori i sulmit është ende në arrati./Alsat.mk