Shkëndija pyet: Çka ka kundër Shkëndijës arbitri Stavrev?

Dje skuadra e Shkëndijës së Tetovës ka luajtur në fushë të Sileksit në Kratovë, ku ndeshja u mbyll në barazim, e mes tjerash skuadra tetovare luajti pa dy futbollist, pasi arbitri Aleksandar Stavrev ndëshkoi me karton të kuq dy futbollist të kuqezinjve.

Marketing

Shkëndija sot ka dalë me reagim publik, duke njoftuar për ankesën e adresuar në FFM për referimin, ndërkohë kanë pyetur arbitrin Aleksandar Stavrev se çka ka kundër Shkëndijës?

KOMUNIKATA E PLOTË:

Dje (e shtunë, 05.10.2024), në ndeshjen e xhiros së 9-të të Ligës së Parë, Sileksi – Shkëndija (0:0), e luajtur në Kratovë, për fat të keq, përsëri protagonizmin nga loja e vodhi arbitri Aleksandar Stavrev me disa vendime tepër diskutabile. Ndër të tjera, ai mori dy vendime për kartona të kuq ndaj lojtarëve tanë, të cilët janë tërësisht të diskutueshëm (sidomos i pari i Trumçit në minutën e 55-të).

Nuk është hera e parë që ndeshjet direkte mes Sileksit dhe Shkëndijës referohen nga Stavrev, dhe për më shumë se një dekadë këto ndeshje kanë qenë të shoqëruara me “gabime” që, për çudi, gjithmonë ndodhin në dëm të Shkëndijës. Vendimet e tij kanë ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në rezultatin e ndeshjeve, por shpesh edhe në pozicionin tonë përfundimtar në renditjen e kampionatit.
Apelojmë fuqimisht te organet kompetente të FFM-së që të marrin masa konkrete dhe të mos justifikojnë më gabimet e arbitrave. Kjo duhet të jetë hera e fundit që ne të jemi “viktima” e padrejtësive në fushë nga arbitrat në përgjithësi dhe Stavrevi në veçanti. /Telegrafi