Durmishi kryetari i ri i KES-it: Dialogu social është me rëndësi kyçe për Qeverinë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov dhe Kryetaren e Organizatës së Punëdhënësve, Vlladanka Trajkoska, si përfaqësues të partnerëve socialë, sot nënshkruan ndryshimin e Marrëveshjes për themelimin e Këshillit Ekonomik Social me përbërjen e re.
Në përputhje me marrëveshjen e re, ministri i Ekonomisë dhe Punës, do të jetë kryetar i Këshillit ekonomik social, ndërsa anëtarët e tjerë të emëruar nga Qeveria do të jenë ministri i Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ministrja e Financave dhe ministrja e Arsimit.
“Sot do të mbajmë zyrtarisht seancën e parë që ka karakter solemn dhe është konstituive. Për Qeverinë, dialogu transparent social është me rëndësi thelbësore. Këshilli Ekonomik dhe Social është organ trepalësh në nivel kombëtar përmes të cilit do të zhvillojmë dialogun social në periudhën e ardhshme, do të dëgjojmë kërkesat e punëdhënësve dhe kërkesat e sindikatave dhe do të miratojmë vendime dhe masa të përbashkëta që do të kenë si qëllim kryesor përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve”, tha ministri dhe shtoi se sot, meqë është seancë konstituive, vetëm do të dëgjohen kërkesat e sindikatave dhe punëdhënësve.
“Sot do të dëgjojmë kërkesat e të gjithëve, të cilët më pas do t’i dërgojnë zyrtarisht në Këshillin Ekonomik Social dhe do t’i shqyrtojmë si pika të rendit të ditës në një nga seancat e radhës, dua të them se në periudhën e ardhshme të gjitha vendimet, masat, ligjet do të miratohen në mënyrë transparente në kuadër tzë Këshillit Ekonomik Social dhe ne do t’i dëgjojmë dhe shqyrtojmë të gjitha kërkesat”, tha ministri Durmishi.

Marketing
Marketing