Duke komentuar çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nëpër institucione publike, kreu i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitreivski tha se shumë shqiptarë, kryesisht prej gjeneratave të reja, nuk e zotërojnë si duhet gjuhën maqedonase, përcjell TV21. Dimitreivski tha se ka pasur disa raste në komunën e Kumanovës ku të rinj shqiptarë janë diskualifikuar nga konkurset pikërisht për këtë çështje. “Mua aspak, në komunën e Kumanovës ose në cilindo institucion tjetër, nuk më pengon që qytetarë të etnisë tjetër, e jo të etnisë maqedonase, të jenë në pozita të larta udhëheqëse, nëse ata janë të aftë. Këtu thelbi është në tjetër problem. Është fakt që kemi numër të madh të qytetarëve, që vijnë nga bashkësia etnike shqiptare, që janë prej gjeneratave më të reja, që në mënyrë joadekuate e zotërojnë gjuhën maqedonase. Parashtrohet pyetja, si ne si qytetarë do t’i integrojmë në sistem, deri sa në mënyrë elementare nuk e dimë gjuhën. Kam pasur raste në komunën e Kumanovës, ku në numër të madh të konkurseve, ka pasur kandidatë që disa herë kanë rënë vetëm për shkak të faktit që nuk e dinë gjuhën. Problemi është më i madh dhe ne si garniturë aktuale politike që është në pushtet, shumë hapur duhet të flasim për këto çështje”, shtoi Dimitrievski./tv21.tv