Rama: Jam i trishtuar për Maqedoninë

Kryeministri i Shqipërisë deklaroi se është i trishtuar që Maqedoninë e Veriut nuk hapi kapitujt e anëtarësimit me BE-në. I pyetur nga një gazetar bullgar, nëse qëndron pas kritikave të ashpra ndaj Bullgarisë tani që rruga e Shqipërisë u zhbllokua, Rama u përgjigj pozitivisht duke thënë se është veprim i sëmurë bilateralizimi i proceseve që lidhen me BE-në.

Marketing

“Më duhet ta themi se jemi shumë të trishtuar, dhe e them sinqerisht, që Maqedonia e Veriut nuk ka akoma mundësi të hyjë në këtë fazë të procesit kur ata kanë qenë ndër të parët, ose të parët që e kanë filluar këtë proces. Prandaj kur flas për poshtërimet tona, kur u refuzuam tre herë radhazi, ndihem disi i turpëruar sepse më duhet të mendoj për poshtërimin e Maqedonisë së Veriut. Ata e ndryshuan madje edhe emrin për të qenë në gjendje të fillojnë këtë proces. Prandaj, po, qëndroj pas gjithçkaje që kam thënë për miqtë tanë bullgarë sepse historia nuk mund të jetë arsye për të penguar fillimin e negociatave. Pikëpamjet e ndryshme se kush është nena e heronjve tanë dhe me kë ka bërë dashuri, dhe cili ishte identiteti i tyre biometrik në atë kohë dhe me kë kanë qenë të lidhur kur kanë vendosur të bëjnë dashuri, janë tema interesante për historianët, por jo pjesë e çfarëdo gjëje që na lidh për t’u bërë pjesë e BE-së,” deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Hungaria thotë se do të vazhdojë të mbështesë procesin për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Besoj se Maqedonia e Veriut do të kishte merituar të fillonte hapjen e negociatave po ashtu. Të gjithë e dimë se çfarë pengesash ekzistojnë në këtë rrugë dhe mund t’u premtoj si presidencë hungareze dhe si një vend pro zgjerimit, se ne do të vazhdojmë të mbështesim të dy vendet të kalojnë procesin e negociatave sa më shpejt që është e mundur”, tha Peter Szijarto, Ministër i Jashtëm i Hungarisë, Presidenca e BE-së.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria filluan njëherësh procesin e skriningut në vitin 2022. BE-ja kishte deklaruar se është në interes edhe të dy vendeve, edhe të BE-së që fillimi i procesit të zhvillohet paralelisht. Megjithatë, për shkak të bllokimit nga Bullgaria, kjo rrugë është ndërprerë për Shkupin. /alsat.mk