Taravari kërkon masa konkrete për rastin e foshnjës 14 muajshe

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari pret nga drejtorët e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve dhe Klinikës për Sëmundje të Mushkërive Kozle, të marrin masa konkrete në lidhje me rastin e foshnjës 14 mujore, pasi siç thotë ai, ai si ministër nuk mund të procedojë ndaj mjekëve, por vetëm ndaj drejtorëve të klinikave. Në pyetjen se a do të shkarkohen drejtorët nëse nuk marrin masa, ai tha se duhet pritur se si do të veprojnë drejtorët dhe më pas do të formojnë qëndrimin e tyre si ministri. Ndërsa, një ditë më parë drejtori i klinikës për Sëmundje të Fëmijëve tha se e vetmja masë që është ndërmarrë ndaj dy mjekëve specialistë, është se i ka larguar nga orari i kujdestarisë. Ndërkohë në Odën e Mjekëve është mbledhur komisioni i cili është duke shqyrtuar raportet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor, të cilët nesër pritet të dalin me vendime konkrete.

Marketing

“Nuk jam gjyqtar , as prokuror, si ministër kam angazhuar komision edhe atë kompetente, që ka dhënë raport të detajuar në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur, tani raporti është dërguar në klinika presim të shohim se si do të veprojnë drejtorët, më tutje, ne mund të veprojmë ndaj drejtorëve, por ndaj të punësuarve, nuk ka askund që ministri të largoj nga puna mjekë. Megjithatë ministria dhe ministri duhet të insistojnë që drejtorët të marrin masa të caktuara. Të presim, unë shpresoj që të dy drejtorët do të marrin ndonjë mase, se cilat do të jenë masat, ata janë udhëheqës në ato klinika dhe nuk do doja që unë të paragjykojë se çfarë do të ndërmarrin. Megjithatë pres prej tyre të ketë përgjegjësi”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë. /Alsat.mk