Ilir Meta kalon natën e parë në qeli, i biri i dërgon ujë dhe sende personale

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kaluar natën e parë në qeli pas arrestimit mesditën e djeshme në hyrje të kryeqytetit në vendin e njohur si Kthesa e Kamzës. Ai u arrestua me kërkesën e SPAK dhe ndodhet në paraburgim te “Mine Peza”. Në media kanë qarkulluar pamje të djalit të tij, i cili i shkon për vizitë duke mbajtur në dorë një qese me ujë dhe sende personale.

Marketing

Mbi ish-presidentin rëndojnë disa akuza; nga afera CEZ-DIA, te lobimi në SHBA dhe fshehja e të ardhurave.

Nga operacionet plastike, te vila në Lalëz, të gjitha akuzat për Metën e Kryemadhin, SPAK me njoftim zyrtar

Prokuroria e Posaçme ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili u shoqërua ditën e sotme forcërisht në lidhje me 3 akuzat e ngritura ndaj tij.

SPAK bën me dije se arrestimi i Metës dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë është bërë për disa dosje, të cilat janë artikuluar për vite me radhë në media dhe opinion publik.

Dosja e parë ka lidhje me privatizimin e CEZ-DIA-s pas dy kallëzimeve të ndryshme të bëra nga Romeo Kara, Idajet Beqiri dhe Halit Valteri, të cilat më pas u bashkuan në vitin 2024.

Sipas SPAK, Ilir Meta në kohën kur ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Monika Kryemadhi kanë ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje për mbledhjen e borxheve pavarësisht se ajo nuk plotësonte kushtet e nevojshme.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit.

Disa vite më vonë, kur Meta ishte kryetar Kuvendi, së bashku me ish-bashkëshorten Kryemadhi kanë përdorur influencën në institucione dhe drejtuesit e disa kompanive celulare për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti Meta-Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë.

Kryemadhi me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).

Po ashtu, përgjatë periudhës 2016-2017, Meta me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Nga hetimi ka rezultuar se Meta dhe Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore.

Mes të tjerash SPAK falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar.