Dueli mes dy Shkëndijave kishte vetëm fitues, haraçinasit vlerësojnë pritjen vëllezërore

Një komb, një emër, dy ekipe kuqezi dhe vetëm një vend në çerekfinale për njërën nga skuadrat vëllezërore. Spektakël në tribuna mes dy tifozerive “Ballistë” e “Çlirimtarë” dhe pjesa tjetër e publikut që pa dallim duartrokiste njejtë dy ekipet. Ndeshje për tu shijuar ishte ajo e djeshmja në Tetovë.

Marketing

Pas shumë viteve në një ndeshje zyrtare u ndeshën dy Shkëndijat. Të mërkurën Tetova fitoi 1:0 Haraçinën dhe kaloi në çerekfinale të Kupës, mirëpo duke parë atmosferën para, gjatë dhe pas ndeshjes, duke se nga ky duel nuk pati humbës. Tetovarët sipas pritjeve u kualifikuan, haraçinasit kishin paraqitje dinjitoze, derisa lihet mbrapa një duel që përfundimisht forcon lidhjen dhe marrëdhënien ndërmjet dy klubeve, tifozerive e qyteteve.

Shkëndija e Tetovës e nisi e para që në paralajmërim me plotë kënaqësi e komplimente kur shorti vendosi të luajnë me “emnakun” e vet nga Haraçina. Pasuan postimet e haraçinasve në të njejtin drejtim, derisa kryesia e tetovarëve me moton “Për vllazni s’ka kufij” do të komunikonin vendimin për hyrje pa pagesë të publikut në respekt të tifozerisë mysafire.

Ndeshja dhuroi imazhe impresive, duartrokitje nga dy palët për dy ekipet dhe shtërngim duarsh e përqafime pas ndeshjes, pa ndjerë dëshpërimin se njëra skuadër dilte jashta Kupës.

E për fund, Shkëndija e Haraçinës mbyll këtë histori të bukur me një postim plotë mirënjohje e falenderim për Shkëndijën e Tetovës dhe publikun tetovar, si rumbullaksim i fitores së madhe vëllezërore që solli kjo ndeshje e Kupës.

Postimi i Shkëndijës së Haraçinës:

“Mikpritja që na rezervoi ekipi kundërshtar KF Shkëndija ishte e veçantë dhe e respektueshme, duke treguar vlerat e vërteta të sportit. Ata na pritën me nder, duke dëshmuar se garat sportive nuk janë vetëm përballje në fushë, por edhe shprehje e solidaritetit dhe respektit reciprok. Ne e vlerësojmë këtë sjellje dhe besojmë se e bën sportin më të bukur dhe më domethënës.

Ndonjëherë nuk është i rëndësishëm rezultati por përpjekja për kontributin e dhënë në fushë.

Çdo ditë e më shumë klubi ynë po dëshmon se është i gatshëm të garon aty ku takon,vetëm duhet që të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë.

Tifozë të dashur, mbështetja juaj është forca jonë! Së bashku kemi kaluar sfida dhe kemi arritur suksese të mëdha. Tani, më shumë se kurrë, na duhet që të ecim përpara me besim dhe energji të pashtershme. Le të jemi bashkë për çdo moment të kësaj rruge, duke dhënë gjithçka për ngjyrat tona. Nuk ka pengesë që nuk mund të kapërcehet kur jemi të bashkuar. Para!

Çlirimtarët Haraçinë sot ishit të jashtëzakonshëm!”