Delegacioni i Komisionit për Çështje Evropiane  morri pjesë në seancën plenare të KOSAK-ut në Budapest

Në seancën plenare morën pjesë Delegacioni i Komisionit për Çështje Evropiane nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje: Igor Zdravkovski, shef i Delegacionit dhe zëvendëskryetar i Komisionit, anëtarët e Komisionit: Mile Lefkov dhe Ilir Hasani në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje Evropiane për vendet anëtare të BE-së (KOSAK), e cila mbahet në Budapest të Hungarisë.
Seanca plenare e KOSAK-ut u organizua si pjesë e dimensionit parlamentar të Kryesimit Hungarez me Këshillin e BE-së, ndërsa sesioni u organizua nga Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë.
Konferenca dyditore debatoi për rezultatet e Kryesimit Hungarez me Këshillin e BE-së, gjendjen e Bashkimit Evropian në vitin e tranzicionit institucional dhe zbatimin 15-vjeçar të Traktatit të Lisbonës, si dhe trendet demografike evropiane. Në mesin e folësve ishte kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Laslo Kover, më pas ministri hungarez i Çështjeve Evropiane, Janosh Boka, nënkryetari për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Parashikimet e Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, si dhe nënkryetari i Parlamentit Evropian, Esteban Gonzalez Pons.
Në debatin në Konferencë, deputetët diskutuan pritshmëritë e qytetarëve dhe vendeve të ndryshme anëtare, rolin dhe funksionimin e BE-së dhe institucioneve të tij. Ndër pritshmëritë e parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së ishte politika më aktive e zgjerimit dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.
Në Konferencë, fjalime të tyre patën edhe anëtarët e Delegacionit nga Kuvendi, të cilët theksuan se të gjitha prioritetet e Kryesimit Hungarez janë prioritete edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por u theksua se prioriteti që ka të bëjë me zgjerimin është drejtpërdrejt i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin e tij në kuadër të temave, nënkryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Igor Zdravkovski, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendi Popullor vazhdojnë të punojnë në vazhdimësi në zbatimin e reformave, duke respektuar dhe vlerësuar të gjitha dallimet dhe sfidat me të cilat përballet dhe BE-ja. Ai theksoi se ne si shtet jemi plotësisht të përkushtuar në realizimin e prioriteteve tona strategjike, që është anëtarësimi në BE. Në fjalimin e tij, Zdravkovski theksoi rëndësinë e vazhdimit të procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, si proces i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është i domosdoshëm për stabilitet dhe paqe në rajon.
Mile Lefkov, theksoi se procesi i anëtarësimit është përcaktuar me detyrime dhe vendime të shumta, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet të jetë partner kredibil që përmes mekanizmave të ndryshëm të angazhimit dhe prezencës në rajon do t’u mundësojë vendeve kandidate për anëtarësim në BE për t’i përmbushur detyrimet e tyre më shpejt dhe me efikasitet, pa vendosur ultimatume.
Në fjalimin e tij, Ilir Hasani u përqendrua në rëndësinë e politikës së zgjerimit të BE-së, sfidat në rajon dhe dëshirën e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Hasani theksoi se hyrja e Maqedonisë në Bashkimin Evropian nuk nënkupton vetëm përmbushjen e kritereve të grupeve negociatore dhe respektimin e legjislacionit të BE-së, por mbi të gjitha synon përmirësimin e kushteve të jetesës së të gjithë qytetarëve tanë.
Deputetët e theksuan rolin e parlamenteve kombëtare si themeli i sistemit demokratik dhe institucional të BE-së, të cilët luajnë rol vendimtar në politikën e zgjerimit të BE-së. Në diskutim u theksua gjithashtu se reformat e brendshme të BE-së nuk duhet të kundërshtojnë dhe ngadalësojnë politikën e zgjerimit, e cila është dëshmuar të jetë një nga politikat më të suksesshme të BE-së.
Në Konferencë u diskutua gjithashtu për politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së, si dhe rëndësinë e dialogut, diplomacisë parlamentare dhe kohezionin dhe stabilitetin e institucioneve evropiane për të forcuar përgjegjësinë kolektive dhe për t’i tejkaluar sfidat.

Marketing