Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me studentët e Institutit të Sigurisë nga Fakulteti Filozofik, informuan pasdite nga Shërbimi për shtyp i Kuvendit.
Gashi theksoi se suksesi në politikë matet me atë se çfarë është bërë për brezat e ardhshëm.
“Në këtë kontekst, theksoi se funksioni kryetar kërkon qasje shtetërore dhe barazi për të gjithë. Prandaj edhe përkushtimi i tij si Kryetar i Dhomës Ligjvënëse janë angazhimi për të punuar në drejtim të ngritjes së Kuvendit në nivel më të lartë, me shërbim profesional, politikisht neutral. Ai është përkrahës i departizimit të institucioneve, për standard më të lartë, i sundimit të së drejtës, i zbatimit të Strategjisë Nacionale, të gjitha në drejtim të mbajtjes së të rinjve në vend, sepse ata janë e ardhmja”, theksojnë nga shërbimi për media i Kuvendit.
Studentët patën mundësinë t’i bëjnë pyetje Kryetarit dhe ai i inkurajoi të rinjtë që të jenë më të shkathët, më të zëshëm, më kritik, të organizojnë debate, të flasin me zë të lartë, sepse zëri i tyre është i sinqertë.
“Studentët e Institutit të Sigurisë janë pikërisht ata që janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, shtohet në kumtesë.