Max Verstappen regjistroi një fitore madhështore në Çmimin e Madh të Brazilit. Kampioni holandez triumfoi pas garës që ishte dramatike, mes shiut, aksidenteve dhe flamujve të kuq.
Edhe pse u nis i fundit nga pilotët, nga vendi i 17-të, Verstappen arriti të kalonte i pari në finish. Kjo ishte përmbysja më e madhe në karrierë për pilotin e Red Bull, që i shkatërroi të gjithë rivalët me cilësi dhe rritëm të jashtëzakonshëm në pistë.
Në garën e katërt nga fundi, Max konfirmoi se është një fenomen i vërtetë në timon, edhe pse gara dukej e vështirë pas penalizimit që erdhi prej ndryshimit të paketës elektrike të makinës.
Pista e vështirë në Brazil, e cila rezervoi një përzierje të rrezikshme mes asfaltit të lagur dhe të thatë, katapultoi në podium makinat Alpine. Esteban Ocon, i cili qëndroi për shumë kohë në krye, e mbylli garën në vendin e dytë, përpara Pierre Gasly, që në xhirot e fundit i rezistoi sulmeve të George Russell dhe Charles Leclerc.
Piloti nga Monako kaloi i pesti në finish, me Ferrarin e vetëm të mbetur në garë, me Carlos Sainz që u tërhoq pas një aksidenti. Kur kanë mbetur edhe tre gara nga mbyllja e sezonit, Verstappeni afrohet titullit të katërt botëror.
Ai ka 393 pikë, 62 më tepër se Lando Norris që është në kuotën e 331 pikëve. Pas tre javësh në Las Vegas, holandezit do t’i nevojitet të pozicionohet përpara rivalit direkt, për tu shpallur sërish kampion, pa qenë e nevojshme të presë rezultatin e dy garave të fundit.