Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se kryeministri Hristijan Mickoski do të udhëtojë nesër në Serbi, për vizitë zyrtare dyditore, transmeton TV21.
Në kuadër të kësaj vizite, Mickoski do të realizojë nesër takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi do të jetë tet-a-tet dhe pritet të mbahet në ora 14:00.
Në ora 14:45 Mickoski do të mbajë takim edhe me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Këto takime bëhen në vigjilje të Panairit të tretë ndërkombëtar të birrës, ushqimit, rakisë dhe turizmit “Vizioni i birrës në Ballkanin e Hapur”.
Delegacionin e RMV-së në këtë panair do të udhëheqë Lupço Dimovski, Ivan Stoilkoviq, Igor Janushev, Zoran Lutkov, Cvetan Tripunovski, Goran Minçev dhe Maksim Dimitrievski.
Në këtë panair do të mbajë fjalim në hapje edhe Mickoski, ndërkaq në kuadër të saj, në ora 19 në hotelin “Hajat” do të mbahet edhe mbrëmja maqedonase ku përveç Mickoskit, i pranishëm do të jetë edhe ambasadori i RMV-së në Beograd, Nikolla Tupançevski.
Në kuadër të Panairit, aktivitete të delegacionit do të mbahen edhe më datë 23 nëntor.