Kongresisti amerikan Michael Waltz, i cili u emërua nga presidenti i sapo zgjedhur si këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare, tha se Donald Trump do të punojë me administratën e Joe Biden për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.
Ai gjatë një interviste për Fox News vuri në dukje se Trump është i përkushtuar për t’i dhënë fund konfliktit përmes një marrëveshjeje ose armëpushimi dhe theksoi rëndësinë e negociatave për të përfshirë palët në bisedime.
“Trump ka qenë i qartë për nevojën për t’i dhënë fund këtij konflikti, qoftë përmes një marrëveshjeje apo armëpushimi. Ne duhet të flasim për mënyrën se si t’i çojmë të dyja palët në tryezë dhe parametrat e një marrëveshjeje. Kjo është ajo që do të punojmë me këtë administratë para janarit dhe më pas”, tha Waltz.
Waltz theksoi se kundërshtarët e SHBA-së nuk do të jenë në gjendje ta përdorin tranzicionin politik nga administrata Biden tek ajo Trump, për të destabilizuar rajonin.
Plani vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po shton presionin ndaj palëve ndërluftuese për të nisur bisedimet e paqes.
Waltz theksoi përvojën negociuese të Trump si një aset të rëndësishëm në iniciativat e mundshme diplomatike.