Pritet armëpushim në Liban, Izraeli dhe Hezbollah pranë arritjes së marrëveshjes

Lideri supreme i Iranit, Ali Khamenei ka komentuar për herë të parë fletëarrestet e lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjs Yoav Gallant.

Marketing

“Ata kanë lëshuar fletë-arreste. Ato nuk mjaftojnë. Duhet të shqiptohen dënime me vdekje për këta udhëheqës kriminelë”, tha Khamenei.

Irani është pro rezistencës së Hamasit dhe mbështetësi më i madh i grupit të armatosur në Liban, Hezbollah.

Pavarësisht luftimeve në të dy vendet ambasadori i izraelit në Uashington ka bërë të ditur se një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut është shumë afër.

Ambasadori Mike Herzog tha për radion e ushtrisë izraelite se ka ende pika që duhen finalizuar por megjithatë ai theksoi se marrëveshja mund të arrihet brenda pak ditëve.

Në mesin e çështjeve që mbeten të pazgjidhura është edhe një kërkesë e Izraelit që thotë se shteti rezervon të drejtën të veprojë nëse Hezbollahu shkel obligimet nga marrëveshja e re, e cila synon të largojë edhe Hezbollahun dhe trupat izraelite nga jugu i Libanit.

Ende është e paqartë nëse Libani do të pranojë kërkesën e Izraelit.

Optimizmi i marrëveshjes vjen një ditë pasi të dyja palët goditën njëra tjetrën me sulme ajrore.

Hezbollahu shënjestroi një ditë më parë disa qytete të Izraelit me rreth 250 raketa dhe dronë duke lënë të plagosur disa persona dhe të dëmtuara disa objekte banimi.

Luftimet mes Hezbollahut dhe Izraelit nisën më shumë se një vit më parë kur Izraeli u sulmua nga Hamasi, dhe u përshkallëzuan shtatorin e këtij viti, me Izraelin që nisi fillimisht sulme masive ajrore në Liban dhe më pas nisi një ofensivë tokësore në jug të vendit./