Komunikacioni në rrugët e shtetit po zhvillohet në kushte të dimrit por pa probleme të theksuara, dje kryesisht nëpër rrugë të lagështa, në disa vende më të larta me mbetje të borës në rrugë.
Borë me intensitet të dobët ka nëpër tërë Maqedoninë perëndimore, përderisa në pjesët e tjera të vendit reshjet janë me shi.
Ndalesa për qarkullim për automjete të rënda ngarkuese ka në qafën malore Mavrovë. Në drejtimin rrugor Tetovë – Kodër e Diellit është vendosur ndalesë për automjete të rënda ngarkuese në drejtimin f.Lisec – Kodër e Diellit, ndërsa për automjetet e tjera është i detyrueshëm përdorimi i pajisjes dimërore, përkatësisht zinxhirëve.
Intensiteti i komunikacionit në drejtimet rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e vendit tonë nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
NP Rrugët e Maqedonisë, me mekanizimin e plotë të disponueshëm dhe fuqinë punëtore është përfshirë në pastrimin e rrugëve pas reshjeve të rrëmbyeshme në viset perëndimore dhe lindore. Siç kumton ndërmarrja publike, gjithashtu në dispozicion janë edhe ndërmarrjet me të cilat ata bashkëpunojnë, në mënyrë që të përballen me kohë me sasitë e borës.
Në disa drejtime rrugore të cilat kalojnë nëpër gryka dhe qafa malore është e mundur paraqitja e shembjeve.