Përgatitjet për ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame

Katedralja Notre Dame rihapet këtë fundjavë pesë vjet pasi një zjarr masiv shkatërroi monumentin historik të Parisit. Siç njofton korrespondenjta e Zërit të Amerikës në Paris, Lisa Bryant, udhëheqës politikë dhe fetarë, si dhe vizitorë të shumtë pritet të marrin pjesë në ngjarjet, të cilat shënojnë një pikë të ndritshme në një vit të trazuar për botën.

Marketing

U deshën pesë vjet, 2000 artizanë dhe punëtorë dhe më shumë se 700 milionë dollarë për të restauruar Katedralen Notre Dame, një kryevepër mesjetare e stilit gotik.

Shumë banorë të Parisit vlerësojnë punën për rindërtimin e saj, përcjell A2 CNN.

“Jam krenar që arritëm të rindërtonim Katederalen Notre Dame në pesë vjet, duke ndjekur teknikat e vjetra dhe duke respektuar një trashëgimi kulturore që i përket jo vetëm Francës, por gjithë botës”, thotë Dang Tran, banor i Parisit.

Në prill të vitit 2019, shumë njerëz patën frikë se zjarri e kishte shkatërruar tërësisht Katedralen Notre Dame.

Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi se ajo do të restaurohej brenda pesë viteve.

Për rindërtimin e saj u mblodhën miliona dollarë dhe u angazhuan zejtarë nga e gjithë bota.

At Gilles Drouin u angazhua në rinovimin e brendshëm të katedrales.

“Shpresoj se rihapja do të jetë, ashtu si gjatë zjarrit, një moment i unitetit kombëtar, i cili është shumë i rrallë në një vend kaq të polarizuar. Shpresoj se ceremonia do t’i bashkojë njerëzit, sepse ne do ta rihapim katedralen tonë. Ajo është katedralja e të gjithë francezëve, jo vetëm e komunitetit katolik”, tha ai.

Në tetor, këmbanat e Katedrales Notre Dame u dëgjuan për herë të parë pas pesë vjetësh.

Në ceremonitë e rihapjes dhe meshën që do të mbahen në Katedralen Notre Dame të shtunën dhe të dielën, janë ftuar personalitete botërore.

Papa Françesku tha se nuk do të marrë pjesë.

“Notre Dame është katedralja e peshkopit, ai duhet ta rihapë katedralen. Pra, nga pikëpamja fetare, mendoj se është plotësisht logjike që ceremonitë e rihapjes të drejtohen nga kryepeshkopi i Parisit”, thotë Gilles Drouin nga Instituti Katolik i Parisit.

Deri në 15 milionë njerëz në vit pritet ta vizitojnë Katedralen Notre Dame pas rihapjes. Madje edhe me skela, ajo duket mahnitëse.

“Kam qenë në dijeni për katedralen që kur isha vajzë e re. E kam parë edhe në filmat vizatimorë. Është kaq e çuditshme ta shohësh ng afër. Mendoja se ishte më e vogël”, thotë turistja italiane Martina Felici.

“Guri është gjithmonë më i qëndrueshëm se njeriu. Mendoj se Katedralja Notre Dame do të qëndrojë për shumë shekuj të tjerë”, thotë mësuesi i historisë, Nicolas Pidia.

Adhuruesit e Katedrales Notre Dame shpresojnë se ai ka të drejtë dhe se solidariteti që ndihmoi në rindërtimin e katedrales do të zgjasë. / Zëri i Amerikës

Marketing