Sigurohet nafta për autobusët e NQP-së

Ndërmarrja e Qarkullimit Publik, ka siguruar blerjen e karburanteve për autobusët e transportit publik të Shkupit.

Marketing

Sipas informacioneve është siguruar naftë me vlerë për rreth 120 milion denarë apo rreth dy milionë euro. Mësohet se në këtë prokurim pa tender të shpallur, ka qenë vetëm një ofertues. Kjo procedurë urgjente është miratuar nga Byroja e Prokurimit Publik me urdhër të Qeverisë.

Prokurimi intervenues do të kryhet deri në lidhjen e kontratës së rregullt përmes tenderit.

Nga LSDM- akuzojnë Qeverinë se bën lojëra partiake me bllokadat të cilat siç thonë kalkulimet politike mes Mickoskit dhe Arsovskës janë në kurrizin e qytetarëve të Shkupit dhe duhet të ndalen.

“Shkupi është në kaos dhe mosfunksionim total, transporti publik është shembur, gjendja në NQP është shumë e keqe ndërsa qeveria bën lojëra partiake, bën bllokada dhe përplasje. Kalkulimet politike mes Mickoskit dhe Arsovskës janë në kurrizin e qytetarëve të Shkupit dhe duhet të ndalen. Është anuluar përfundimisht tenderi për prokurimin e naftës për nevojat e NQP-së. Ka aplikuar një operator që nuk ka dorëzuar garanci bankare. NQP-ja në mënyrë intervenuese lidhi kontratë për blerjen e naftës në vlerë prej 120 milionë denarë, gjegjësisht dy milionë euro. Në këtë prokurim sipas informatave publike kishte vetëm një ofrues, kompania Pucko Petrol, e cila është zgjedhur në këtë prokurim pa tender”, tha Lubica Jançeva – Këshilltarja e LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Problemi me transportin publik në Shkup kulmoi një javë më parë kur autobusët e NQP-së mbetën nëpër garazhe për shkak të mungesës së naftës. Problemi përkohësisht u tejkalua me vendim të Qeverisë, me të cilin qytetit të Shkupit iu huazua karburant për shtatë ditë nga rezervat shtetërore të naftës./ Alsat.mk

Marketing