VLEN: Oligarkë të dëshpëruar dhe të (pa)respektuar të BDI-së

Mbase, pas tre tentimeve, më në fund e kuptuat se askush nuk merret me letrat tuaja! Po qe se akoma nuk e keni kuptuar këtë, atëherë problemet tuaja qenkan edhe më të mëdha sesa thjeshtë humbja e pushtetit dhe frika nga përgjegjësia e cila ju pret.

Marketing

Tri herë po i shkruani letra komunitetit ndërkombëtar – askush nuk po ju përgjigjet.

Tri herë po paraqiteni si njëfarë faktori politik i cili e ka të rëndësishme Marrëveshjen kornizë të Ohrit, ndërsa gjatë viteve të shkuara, e vetmja punë me të cilën jeni marrë ka qenë pasurimi juaj personal si dhe pasurimi i familjarëve tuaj të afërt.

Tri herë po paraqiteni si politikanë, ndërsa në të vërtetë jeni vetëm një e shkuar e hidhur dhe një elitë skajsshmërisht e korruptuar.

Oligarkë të (pa)respektuar të BDI-së,

Asgjë nuk ka filluar dhe as nuk do të mbarojë me juve! Lufta e shqiptarëve për të drejta dhe për krenari kombëtare nuk ju përket juve nuk mund ta përvetësoni atë! Ajo ka zgjatur me vite e vite përpara jush, e do të zgjasë edhe pas jush.

Ju do të ngeleni vetëm sinonim i njerëzve të cilët lavdinë e luftës për liri e shndërruan në dhjetëra pompa benzine, në qendra tregtare, në dhjetëra e dhjetëra apartamente luksoze, në llogari milionëshe bankare dhe në kazino të cilat punojnë për juve! Prandaj askush nuk u përgjigjet letrave tuaja.

Është koha që ta kuptoni se koha juaj ka kaluar. Nëse do të ekzistojë BDI-ja ose jo, nëse BDI-në do ta udhëheqë kjo klikë e të korruptuarve, nëse do ta kuptoni se a duhet të largoheni nga politika po jo, pavarësisht të gjitha këtyre, përpjekjet e shqiptarëve për dinjitet e krenari kombëtare do të vazhdojnë. Ndërsa ju jeni vetëm një hije e keqe e kësaj lufte, të (pa)nderuar oligarkë të BDI-së.

Për shkakun tuaj, përshtypja e partnerëve tanë ndërkombëtarë për ne si shqiptarë është vënë në pikëpyetje. Por, ata, më shumë dhe më mirë se të gjithë ne, ju njohin juve dhe ju kanë lexuar fill e për pe. Prandaj askush nuk u përgjigjet letrave tuaja.

Të (pa)nderuar oligarkë të BDI-së,

Secili qytetar i Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e kanë të qartë se BDI-së nuk i intereson aspak gjuha e banknotave – BDI-së i intereson ngjyra dhe vlera e tyre! Prandaj askush nuk ju përgjigjet letrave tuaja.

Largohuni, mos shkaktoni telashe! Mos nxitni tensione dhe destabilizim të vendit në shpresë se do të shpëtoni nga përgjegjësia. E dijmë këtë skenar: e keni mësuar në përsosmëri nga shokët tuaj të ngushtë – Gruevski e Mijallkovi. Edhe ata, njejtë sikur ju, mendonin se duke e destabilizuar vendin do të ngelen politikanë të vlefshëm e të respektuar. Dështuan ata, do të dështoni edhe ju.

Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut është e garantuar. Atë nuk do të arrijnë ta cënojnë një grup oligarkësh të ngujuar në zyrat partiake të BDI-së të cilët për dekada me rradhë u pasuruan në kurriz të shqiptarëve. Prandaj, mos harxhoni kohë dhe letër – do t’u duhen për të shpjeguar veten në proceset e gjata të drejtësisë me të cilat do të ballafaqoheni shumë shpejt ku do të shpjegoni se si i grabitët e varfëruar shqiptarëve gjatë viteve që ishit në pushtet.

Marketing