Gjykata Supreme, kabineti i presidencës, Sekretariati i Qeverisë, Mepso, janë disa nga institucionet shtetërore që nuk i plotësojnë normat e përcaktuar me ligj për punësimet me përfaqësim të drejtë dhe adekuat në sektorin publik. Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit për 2023-tën, si diskriminuese situata paraqitet në Akademinë e Shkencave, ku nga të gjithë të punësuarit ka vetëm një shqiptar dhe asnjë nga bashkësitë e tjera etnike.
“Ka institucione që janë solide, ka prej tyre që e kalojnë përqindjen e përfaqësimit, por ka edhe disa që dështojnë rëndë. Situata nuk është e mirë as në Gjykatën Supreme, këtu e kam fjalën për të punësuarit, jo për persona të zgjedhur dhe emëruar, pra për administratën, nuk është situatë e mirë edhe në kabinetin e presidencës, dhe në sekretariatin e qeverisë”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Ziberi tha se përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin publik gjatë vitit 2023 ka qenë 21.7% që sipas tij është për 2.6% më i ulët krahasuar me popullsinë rezidente.
“Përfaqësimi i maqedonasve në vitin 2022 në sektorin publik ishte 71.9 për qind, ndërsa në vitin 2023 është 71.6 për qind, që paraqet një rënie prej 0.3 për qind, por duhet theksuar se ai është ende i lartë, respektivisht është më i lartë për 13.16 për qind krahasuar me popullsinë rezidente. Përfaqësimi i shqiptarëve në vitin 2022 ishte 21.4 për qind, ndërsa këtë vit është 21.7 për qind që paraqet një rritje prej 0.3 për qind, por është ende më i ulët për 2.6 për qind krahasuar me popullsinë rezidente”, shtoi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Përfaqësimi i etnitetit turk në sektorin publik në vitin 2023 ka shënuar rënie prej 0.14 për qind, etniteti rom është më i ulët për 1.23 për qind, etniteti serb ka rritje për 0.1 për qind, dhe komuniteti vlleh është më i lartë për 0.13 për qind, ndërsa komuniteti boshnjak ka shënuar rënie prej 0.27 për qind. Ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik për vitin 2023 ka shënuar rënie për 2.488 persona, për dallim nga vitin 2022 kur numri i përgjithshëm i të punësuarve ishte 130.377 persona, ndërsa në vitin 2023 ky numër është 127.889 persona./Alsat.mk