Dauti: Interpelanca nuk është kundër meje, por kundër personave të cilët luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët

Ilire Dauti, deputetja e “Frontit Evropian” dhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini sot në deklaratë për mediat theksoi se interpelancën e dorëzuar për të nga deputetët e “Së Majtës” nuk e sheh si personale kundër saj, por, siç tha, si një luftë kundër personave që luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Marketing

“Duhet të jemi të preokupuar me interpelancën, pasi diçka e tillë më parë asnjëherë nuk ka ndodhur. Mendoj se kjo nuk do të jetë e drejtë për demokracinë, për njerëzit të cilët kërkojnë barazi për të gjithë qytetarët. Interpelancën nuk e shoh si personale kundër meje, por, si një luftë kundër njerëzve të cilët po luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, në këtë rast edhe kundër palës tjetër, ish ushtarakëve të UÇK-së, që morën pjesë në konfliktin ushtarak në vitin 2001”, tha ajo.

Dauti potencoi se deri tani ka punuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

“Është e rëndësishme që gjatë gjithë punës sime kam punuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe këtë e kam bërë edhe sot. Nëse unë pranoj propozime, afatet e të cilave tashmë kanë kaluar, atëherë do të shkoja kundër Rregullores së Kuvendit”, tha deputetja Dauti.

Marketing