Mexhiti: Artan Grubi s’është në Kosovë, por në Shqipëri! Me largimin e tij ka dëshmuar fajësinë

 Zëvendës kryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka folur mbi debatin politik mbi çështjen e përdorimit të Gjuhës Shqipe, si dhe shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit i ish-zv.kryeministrit të mëparshëm shqiptar Artan Grubi. Mexhiti i ftuar në “Ora News” tha se nuk ka aspak rëndësi se ku është Grubi sot, por është e sigurtë se një ditë ai do të ballafaqohet me drejtësinë.

Gjithashtu ai u shpreh se është detyrë e organeve të rendit për të zbuluar se ku ndodhet Artan Grubiaktualisht. Sipas tij Grupi nuk ndodhet në Kosovë, por është në Shqipëri. Më tej ai u shpreh se tani është më e qartë situata politike në vend, dhe tashmë më shumë problemet dhe tensionet janë në kokat e tyre se sa në vetë shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Pjesë nga intervista:

Marketing

Ku është z. Grubi dhe a prisni të kthehet?

Mendoj se është detyrë e organeve të rendit, ata do të bëjnë dhe padi ndërkombëtare përmes INTERPOLIT. Sipas informatave, nuk është në Kosovë, por është tek ju në Shqipëri. Por s’është kjo e rëndësishme, por me arratisjen e tij ka dëshmuar fajësinë e tij dhe ndaj ai ka ikur nga vendi. Mendoj se sot, nesër, apo pasnesër ai një ditë do të ballafaqohet me drejtësinë.

Lista e zezë e SHBA-së a ndikon kjo në politikën shqiptare atje?

 

Patjetër që edhe opinioni në Shqipëri tani e ka situatën më të qartë, sepse ata që quhen “Fronti – Evropian” që kanë vulën dhe autorësinë për t’i përfaqësuar shqiptarët në vlerat evropiane, fatkeqësisht po mbushin listën amerikane.

 

Dhe tani është më e qartë situata politike në vend, dhe tashmë më shumë problemet dhe tensionet janë në kokat e tyre se sa në vetë shtetin e Maqedonisë së Veriut. Pra, janë shumë çështje si ajo e gjuhës, janë përdorur për të krijuar tensione dhe destabilizime, pasi qëllimi nuk ka qenë as te gjuha, e as te statuti i shqiptarëve, por problemi ka qenë se si t’i iket llogarisë dhe shkeljeve të ligjeve.

BDI-ja ka bërë akuza mbi ligjin për prokurorimet publike në fushatë, në fakt kë akuzon ajo?

BDI-ja është në situatë të rëndë, e ka humbur busullën politike, nuk iu shkon më as petku se ajo është parti pro-amerikane dhe pro-evropiane, pasi po i mbushin listat e zeza të këtyre vendeve dhe duke u ballafaquar me drejtësinë në përgjithësi. Ndaj mendoj se BDI-ja duhet të merret me veten për t’u reformuar e më pas të rikthehet në skenën politike.

Gjuha shqipe në Gjykatën Kushtetuese, çfarë po ndodh dhe si do të vijojë kjo çështje në vijim?

Për publikun në Shqipëri, duhet thënë se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk e ka statutin që meriton në raport me gjuhën maqedonase. Në RMV nuk ka ligj për gjuhën shqipe, por ka ligj të gjuhëve që kushtëzohet me gjuhën që e flasin mbi 20 për qind e popullsisë. Mirëpo përkundër kësaj nuk është një statut i kënaqshëm për gjuhën shqipe ashtu siç e meriton, kjo dhe në raport me gjuhën serbe në Kosovë, edhe pse serbët janë 3-4 për qind atje dhe ne nuk jemi as të barabartë me ta.

Mendoj se edhe në demokracitë ligji duhet të respektohet përderisa nuk sillet një ligj më i mirë. Ndaj në Gjykatën Kushtetuese nuk do të ndodhë asgjë dhe ligji i gjuhëve do të mbesë ashtu sikundër është dhe në kohë e mundësi më të mira, mund ta bëjmë një ligj më të mirë. Balanca qëndron se gjuha shqipe është e garantuar në vetë Kushtetutën e vendit.

A e prish kjo harmoninë shoqërore në vend?

Askush këtu nuk e ka mohuar rolin që zë gjuha shqipe në vendin tonë. Nesër mund të avancojmë me iniciativa, mbase edhe tonat për të ecur më tej me gjuhën shqipe, pra ligji është konform Kushtetutës së vendit dhe që është hartuar në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Pra, kjo është garancia e parë, dhe një tjetër garanci e pa shkruar se asnjëherë në vend nuk ka një qeveri në RMV pa shqiptarët, dhe ne kemi qenë pjesë e qeverive. Dhe kjo është garancia e dytë për statutin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Çfarë ka ndryshuar tek shqiptarët me qeverinë e re ku jeni pjesë?

Së pari, shqiptarët nuk kanë humbur asgjë në këto 6 muaj, përkundrazi përfaqësohen më ndryshe dhe madje kanë përfituar se është bërë vetë rrotacioni në partitë shqiptare. Dhe së dyti, ne kapitalin politik nuk e shpenzojmë për të ndërhyrë në gjyqësor për të shpëtuar “kasapin” e shqiptarëve Mihajkovckin dhe për të rikthyer Gruevskin në Maqedoni. Kjo dëshmon se BDI-ja nuk e ka pasur mendjen as te shqiptarët e as te gjuha shqipe, por ka menduar si të kthejë partnerët e saj në arrati në Maqedoninë e Veriut dhe kjo mendoj se e ka bërë shumë më të qartë se çfarë ndodh tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

A do të kemi ndonjë bashkëpunim me Shqipërinë, meqë jemi në kohë tryezash të përbashkëta, nisur nga takimi i sotëm i dy parlamenteve Kosovë – Shqipëri?

Në muajin e parë që jam zgjedhur ZV. Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, me vetë-iniciativë erdha në Tiranë dhe zhvillova takime me politikën, siç e bëmë me Kosovën. Mendoj se këto janë në interes të të dyja shteteve dhe në muajin janar do të ketë mbledhje të të dy qeverive në interes të shtetasve tanë. Dhe këtu nuk duhet t’i ngatërrojmë çështjet ideologjike dhe fushatat zgjedhore.

Për ne fushata zgjedhore ka përfunduar dhe tashmë ka një realitet të ri tek shqiptarët e Maqedonisë, dhe ata nuk e kanë komoditetin që të ndahen në kampe politike. Mendoj se ne kemi nevojë për shtetin shqiptar, për diplomacinë shqiptare, për vetë shqiptarët, për kulturën, arsimin, sepse edhe historikisht ka qenë. Pasi edhe shkollat e para Shqipëria i ka hapur këtu tek ne me Koliqin e me radhë dhe në këtë kuptim janari do të jetë tejet produktiv në këtë drejtim për të qenë më afër Maqedonia dhe Shqipëria.

Marketing