Shkupi dënon deklaratën e deputetit bullgar për bashkimin e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë

Zyrtarët e Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar ashpër një deklaratë të liderit të ekstremit të djathtë në Bullgari, i cili bëri thirrje që RMV dhe Bullgaria të bashkohet në një shtet të vetëm bazuar në një ide të shprehur rishtazi nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, për bashkimin e SHBA-së me Kanadanë.

Marketing

Lideri i partisë politike të ekstremit të djathtë në Bullgari, Rilindja, Kostadin Kostadinov, tha se “nuk ka asgjë më logjike se dy shtete me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, që të bëhen një shtet i vetëm”.

Kjo deklaratë u dënua si “e turpshme dhe e pandershme” nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.

“Përkundrazi, synimi për ta shprehur në mënyrë të njëanshme në këtë mënyrë në fakt do të thotë mosrespektim, do të thotë mosnjohje”, tha Gordana Silanovska-Davkova.

Ministria për Punë dhe Tregti të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër deklaratën e Kostadinovit, i cili është gjithashtu deputet aktual në Kuvendin Popullor të Bullgarisë, duke thënë se kjo deklaratë “shpreh pretendime të qarta territoriale ndaj Maqedonisë së Veriut”.

“Deklarata të tilla dashakeqe të zyrtarëve të skenës politike bullgare janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së vendit tonë dhe në të njëjtën kohë janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, mosndërhyrjen e shteteve në punët e tyre të brendshme dhe politika e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, Venko Filipçe, deputet dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate në opozitë, kërkoi që Sofja të reagojë dhe të distancohet qartë dhe pa mëdyshje nga deklaratat e Kostadinovit, ndërsa Bashkimi Evropian, siç tha ai të dënojë deklaratën e tij.

“ I bëj thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë qartë këtë qëndrim, i cili cenon të drejtat universale të njeriut dhe vlerat evropiane, dhe të tregojë se deklarata të tilla nuk kanë vend në BE”, shkroi Filipçe, në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut ta njohë pakicën bullgare si pakicë kombëtare. Për ta bërë këtë, nevojiten ndryshime kushtetuese.

Për të realizuar ndryshimet kushtetuese, nevojitet një shumicë prej dy të tretash. Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut aktualisht përbëhet nga 78 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Parlamenti. REL

Marketing