Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Genc Metaj, ka pritur në takim drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) nga Republika e Maqedonisë së Veriut, z. Xhevat Selami.
Gjatë këtij takimi, të zhvilluar në një frymë miqësore, u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy institucioneve. Diskutimet u fokusuan në çështje kyçe që lidhen me përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushat e mbrojtjes civile dhe shpëtimit. Palët u pajtuan që përmes aktiviteteve të përbashkëta të kontribuohet në ngritjen e kapaciteteve rajonale për t’u përballur me situata emergjente dhe të sigurohet një koordinim efektiv në të gjitha nivelet e reagimit ndaj krizave.