Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov dhe Koordinatori nacional për turizëm, Akan Mahmut, sot kanë zhvilluar vizitë pune në Komunën e Gradskos, ku me kryetarin Kiro Naçkov kanë diskutuar për mundësitë e kësaj komune me vendndodhje strategjike në drejtim të zhvillimit të turizmit dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore.
Në takimin me kryetarin e komunës u theksua rëndësia e korridorit transit ku ndodhet Komuna e Gradskos dhe mundësitë unike që ka ky rajon për tërheqjen e turistëve dhe promovimin e bukurive natyrore, pasurisë kulturore, kishave, manastireve, gastronomisë, prodhimeve dhe specialiteteve tona vendase.
“Komuna e Gradskos po zhvillon bashkëpunim me institucionet, sektorin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara, të gjitha me qëllim të krijimit të ambientit më të mirë për zhvillimin e turizmit në këtë rajon”, tha ministri Llutkov, i cili vizitoi fermën e kuajve në pronësi të Vasko Veliçkovskit, i cili së fundi ka promovuar projektin “Sherpa Horse Riding” në këtë rajon, i përfaqësuar nga QK “Bistra” – Galiçnik. Projekti përfshin dy xhiro malore me kuaj kurse mbështetet nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – IME. Turne tërheqëse për vizitorët përfshijnë majën Klepa, me pamje të pabesueshme të vreshtave të Tikveshit dhe turneun “Dionis”, i cili përfshin vizitë në kantinat e famshme të verës.
Gjatë vizitës në këtë rajon, ministri Llutkov dhe Koordinatori nacional Mahmut u njohën me mundësitë që ofrojnë rrugët e verës, traditën e gjatë në prodhimin e verërave të cilësisë së lartë në kantinat Stobi dhe Llazar si dhe në kantinat familjare përreth Gradskos. Është bërë e ditur se ata janë krenaria e industrisë së verës maqedonase kurse turistët gjithnjë e më shumë po shfaqin interes për turet e verërave, deguston, si dhe për të mësuar për procesin e prodhimit.
Vizita në Gradsko ka përfshirë edhe një tur në një pjesë të potencialit kulturor të komunës, ku është vendosur kompleksi manastiri “Shën Mëhili (kryeengjëlli)” nga shekulli i 17-të si dhe lokaliteti më i madh dhe më domethënës arkeologjik “Stobi”.
Ministri Llutkov theksoi se ky vend është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e turizmit transit dhe se lidhja, përfshirja dhe promovimi i “Stobit” në kuadër të një prezantimi më të gjerë turistik në rajon janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh faktin se vendi vizitohet çdo vit nga rreth 20 mijë turistë.
“Stobi është në fokusin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për financimin e projekteve me interes kombëtar për kërkimin, konservimin dhe prezantimin. Në këtë kuptim, ne mbështesim përpjekjet e ekipit të ekspertëve të institucionit në realizimin e aktiviteteve të tij, nëpërmjet zbatimit të projekteve kërkimore, projekteve në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, organizimit të shkollave ndërkombëtare dhe trajnimeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe në aplikimin e teknologjive të reja dhe qasjeve interaktive në prezantim”, tha Llutkov, i cili shtoi se “Stobi” së shpejti do të rikthehet shkëlqimi sepse në shtatë vitet e fundit nuk ka marrë vëmendjen dhe burimet e nevojshme financiare për një program dhe për projekte kapitale dhe investime.
Duke paralajmëruar periudhën e ardhshme, ministri Llutkov tha se rajoni i Vardarit ka potencial të bëhet perlë e turizmit transit në vend dhe tha: “Me strategjinë dhe përkushtimin e duhur, besoj se komuna e Gradskos dhe gjithë shtrirja e autostradës E-75 janë në rrugën e duhur për t’u bërë perlë e turizmit transit kurse Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të jetë lider dhe aleat i fortë në arritjen e këtij qëllimi”.