Tetova do bëhet me Sahat Kullë

Një laborator për shkencat ekzakte dhe ndërtim i Sahat Kullës. Këto janë dy projekte, të cilët pritet të realizohen në Komunën e Tetovës, ndërsa është bërë e ditur nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një mbledhje me Unionin e Komunave Turke në Botë. Sipas Kasamit, projekti i parë për shkencat ekzakte ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa nuk bëhet fjalë për financim, por këmbim të përvojave, kurse Sahat Kulla do të jetë me investim nga Komuna e Konjës. Kasami sqaroi se projekti për Sahat Kullës ka filluar shumë vite më parë, por është prolonguar, ndërsa tani ka ardhur koha të realizohet.

Marketing

“Do të bisedohet për projekte konkrete, respektivisht për mundësinë e bartjes së eksperiencës të një qendre të shkencës, me modelin e shumë komunave në Turqi, me çka nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës do të kenë mundësi që njohuritë praktike ti marrin nga kjo qendër. Po ashtu me kryetarin Altay, kemi folur edhe për rikthimin e një projekti që ka qenë i dakordësuar mes komunës së Tetovës dhe Konjës, por për një periudhë të gjatë kohore ka qenë I pezulluar me çka do të rikthejmë Sahat Kullën në qendër të Tetovës dhe me këtë e rikthejmë identitetin e Tetovës që e ka pasur ndër shekuj”, deklaroi Kasami.

Kryetari i Komunës së Konjës, Ibrahim Altay ka konfirmuar se do të mbështesin komunën e Tetovës për realizimin e këtyre dy projekteve dhe jo vetëm, pasi do të vijohet edhe me realizimin e projektit për vendosjen e orëmatësve e ujit në qytetin e Tetovës, projekt ky i ndërprerë për shkak të tërmetit në Turqi.

“Bashkë me kryetarin Kasami jemi dakorduar që projekti për shkencë të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të fillojë të realizohet edhe në Tetovë. Gjithashtu, kemi biseduar edhe projektin për menaxhimin me mbeturinat. Po ashtu, biseduam edhe për projektet që kanë të bëjnë me ujësjellësin, që për një periudhë është ndërprerë shkaku i tërmetit në Turqi dhe tani presim që të hyjë në fuqi sërish ai projekt. Sigurisht se do të vazhdohet që të realizohet projekti i Sahat Kullës që ka qenë i dakorduar por është ndërprerë”, tha Altay.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nuk ka dhënë afate për realizimin e projektit të Sahat Kullës në Tetovë, por ka sqaruar se plani urban është i gatshëm dhe pritet vetëm të fillojë ndërtimi. Në të kaluarën ka pasur shumë premtime se do të rindërtohet Sahat Kulla në Tetovë, në vendin që ka qenë më parë, në rrugën që shpie për në ish Bibliotekën e qytetit por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret në terren. (koha.mk)