Mbrëmja e së shtunës tronditi Jabllanicën e Gjakovës. Kjo pasi tre fëmijë mbetën të vdekur, një i moshës 13-vjeçare, ndërkaq dy të tjerë 15-vjeçar.
Familjarët e viktimave kanë bërë të ditur se trupat e tre të miturve do të varrosen sot në varrezat e fshatit Shqiponjë, apo ish-Jabllanicë, nga ora 14:00.
Në njoftimin mortor familjet Morina, Rama dhe Mehmetaj kanë thënë se largimi i parakohshëm i më të dashurve të tyre ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e tyre.
Fëmijët që humbën jetën tragjikisht janë Veton Morina i lindur më 2 dhjetor të vitit 2011, Ideal Rama i lindur më 25 mars 2009 dhe Ramë Mehmetaj i lindur më 7 gusht 2009.
Pas lajmit të hidhur, qytetarët dhe autoritetet lokale kanë reaguar me dhimbje, ndërsa është bërë thirrje për një hetim urgjent dhe masa të nevojshme për parandalimin e tragjedive të ngjashme.
Avokati i Popullit ka kërkuar një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e shembjes së objektit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë që mund të ketë për këtë tragjedi.
Ai ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të hetimeve që të mund të kuptohen arsyet e këtij aksidenti dhe të merren masa për shmangien e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Zyra e Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar dhe të gjitha njësitet tjera përkatëse të Policisë së Kosovës, dhe që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.
Reagime ka pasur edhe nga krerët e shtetit si presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nga figurat tjera të larta në Kosovë