Më 2 janar 2025 u realizua një hetim ndërkombëtar i koordinuar nga EUROPOL-i, policia maqedonase dhe ajo serbe, nën drejtimin e prokurorive përkatëse, me ç’rast u shkatërrua një grup i organizuar kriminal i përfshirë në veprën penale të falsifikimit të parave, i cili vepronte në territoret e disa shteteve.
Nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2025, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë ishte formuar një grup i organizuar kriminal i përbërë nga shtetas maqedonas dhe serbë, me qëllim prodhimin dhe vënien në qarkullim të parave të falsifikuara. Në një banesë në zonën e Shkupit, me ndihmën e makinerive të specializuara dhe pllakave të gdhendura që imitonin shenjat e sigurisë së parave, prodhoheshin para false në denominime të ndryshme. Këto para të falsifikuara grupi i organizuar kriminal i vinte në qarkullim në sistemin e pagesave në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ndërsa një pjesë e madhe e tyre përfundonte edhe në Austri, Gjermani, Rumani, Slloveni, Kroaci dhe Kosovë.
Në kuadër të operacionit, në territorin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në urdhërat e siguruara nga Gjykata Themelore Penale, u kryen kontrolle në disa lokacione në Shkup, Veles dhe Prilep, te persona fizikë dhe juridikë, ku u arrestuan 10 persona (nëntë nga Shkupi dhe një nga Velesi). Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan sende dhe mjete monetare që do t’i nënshtrohen ekspertizës, përfshirë: rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, 1.800 shekelë izraelitë, 500 kuna kroate, 10.000 lekë shqiptarë, 1.000 korona suedeze dhe 25.000 rubla, një makinë CNC për prodhimin e kallëpeve, kallëpe, vula dhe cilindra të përdorur për falsifikimin e parave, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, tre pistoleta, një pushkë, 100 plumba kalibër 9 mm, 40 fishekë kalibër 12 mm, një qese me lëndë pluhur të bardhë, një tjetër me pluhur kafe, disa telefona celularë, karta SIM, USB dhe laptopë.
Në operacionin e zhvilluar në Serbi u arrestuan gjashtë persona, anëtarë të grupit të organizuar kriminal, dhe u sekuestruan rreth 153.700 euro.
Aktivitetet do të vazhdojnë në kuadër të hetimit ndërkombëtar të hapur, dhe gjatë ditës së sotme Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë do të paraqesë kallëzim penal kundër gjashtë shtetasve maqedonas dhe dy shtetasve serbë.