Ekziston rreziku i humbjes së kontrollit nga njerëzit mbi sistemet e Inteligjencës Artificiale

Një garë e furishme nga gjigantët e teknologjisë për të zhvilluar inteligjencën artificiale (IA), gjithnjë e më të fuqishme mund të ketë efekte të dëmshme, paralajmëroi sot studiuesi kryesor, Yoshua Bengio – ndërsa shkencëtarët morën pjesë sot në samitin global për teknologjinë, në Paris.

Marketing

Shkencëtari kompjuterik dhe fituesi i çmimit prestigjioz “Turing” për vitin 2018 prezantoi “Raportin e parë Ndërkombëtar të Sigurisë së IA-së”, të përpiluar nën mbikëqyrjen e tij, në universitetin ENS të Parisit.

Bengio vuri në dukje rreziqet e IA-së që tashmë janë pranuar gjerësisht, si përdorimi i saj për të krijuar përmbajtje të rreme ose mashtruese në internet.

Por, profesori i Universitetit të Montrealit shtoi se po shfaqen vazhdimisht prova për rreziqe shtesë, si sulmet biologjike ose sulmet kibernetike.

Në terma afatgjatë, ekziston frika nga një “humbje e mundshme e kontrollit” nga njerëzit mbi sistemet e IA-së, potencialisht të motivuar nga “vullneti i tyre për të mbijetuar”.

“Shfaqja e modelit kinez të inteligjencës artificiale, muajin e kaluar me kosto të ulët dhe me performancë të lartë “DeepSeek” ka përshpejtuar garën, gjë që nuk është e mirë për sigurinë”, shtoi Bengio.

Ai bëri thirrje për kërkime më të gjera mbi sigurinë e IA-së, e cila tani për tani përbën “një pjesë të vogël” të investimeve masive që po bëhen në këtë sektor.

“Pa ndërhyrjen e qeverisë, nuk e di se si do ta kalojmë këtë”, tha Bengio.

Vendi kryesor në botë i IA-së për momentin, SHBA-ja ka hequr dorë nga përpjekjet e ish-presidentit Joe Biden për të vendosur disa rregulla mbi zhvillimin e inteligjencës artificiale që nga kthimi në detyrë i Donald Trump.

“Kur ChatGPT i OpenAI shpërtheu në skenën publike dy vjet më parë, ndjeva urgjencën për të menduar për këtë çështje të sigurisë”, tha Bengio.

“Ajo që më frikëson më shumë është mundësia që njerëzimi mund të zhduket brenda 10 viteve. Është e tmerrshme. Nuk e di pse shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë”, tha ai.

Rreth 100 ekspertë nga 30 vende, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OECD kontribuan në raportin e udhëhequr nga Bengio, i botuar në fund të janarit.

Puna filloi në një samit të mëparshëm për sigurinë e IA-së në Britani te Madhe në nëntor 2023.