I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme Steve Witkoff u nis për në Arabinë Saudite, bashkë me këshilltarin e sigurisë kombëtare, Mike Waltz për bisedime lidhur me rrugët për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Deklaratat e tij për kanalin Fox News janë konfirmimi i parë zyrtar për këto bisedime, të cilat do të jenë ndër diskutimet e para të nivelit të lartë midis zyrtarëve rusë dhe amerikanë ndër vite dhe kanë për qëllim t’i paraprijnë një takimi midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Udhëheqësit ukrainas dhe zyrtarë të vendeve evropiane kanë shprehur publikisht zhgënjimin që zyrtarët amerikanë i kanë përjashtuar ata në disa negociata me rusët.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se nuk janë ftuar në takimin e Arabisë Saudite dhe se nuk do të jenë të detyruar të zbatojnë asnjë marrëveshje që del nga çdo dialog atje.
Witkoff kundërshtoi idenë se ukrainasit janë përjashtuar nga bisedimet me rusët. Në intervistën për televizionin Fox, ai vuri në dukje se zyrtarët ukrainas u takuan me disa zyrtarë të lartë amerikanë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih gjatë fundjavës, megjithëse ai nuk tha nëse ukrainasit ishin të mirëpritur në Arabinë Saudite.
“Unë nuk mendoj se kjo ka të bëjë me përjashtimin e askujt,” tha Witkoff. “Në fakt, bëhet fjalë për përfshirjen e të gjithëve.”