Debati për stemën dhe himnin mund të jetë pjesë e një procesi më të gjerë, duke llogaritur këtu edhe diskutimin për ndryshimet kushtetuese që lidhen me integrimet në BE – thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Drejtori i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Aleksandar Krzhalovski.
Krejt kjo, pasi Kryeministri Mickoski konfirmoi se kjo çështje është hapur në koalicionin qeveritar.
Por, Krzhalovski, nuk përjashton mundësinë që debati për cështjen e stemës, të jetë pjesë e një pakoje më të madhe.
“Mund të shihet nga dy aspekte, se s`ka asgjë për të bërë, se është periudhë më e qetë ose e dyta se me të vërtetë është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar dhe se është koha të inicohet kjo çështje. Në përgjithësi vlerësoj se është e para, për shkak se shohim se s`ka lëvizje në procesin eurointegrues e as që bisedohet për ndryshimet kushtetuese. Ose, kjo mund të jetë pjesë e një pakoje më të madhe, për shkak se edhe për stemën duhen ndryshime kushtetuese dhe ndoshta me vetë debatin do të involvohet i gjithë rrëfimi se si të bëhen ndryshimet kushtetuese që paraqesin pengesë për procesin e eurointegrimit” – tha Krzhalovaki.
Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Krzhalovski thotë se gjyqësori gëzon mbështetje më të ulët dhe se të domosdoshme janë reformat e thella.
Sipas tij, presioni publik rrallë herë ka rezultuar me zgjidhje sistematike.