Tregu i përbashkët rajonal në fokus të takimit Murtezani-Kapetanoviq

Ministri për ҫështje evropiane, Orhan Murtezani u takua sot me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq. Në takim u shkëmbyen mendime për iniciativat rrjedhëse për integrimin rajonal dhe rolin e Këshillit në mbështetjen e progresit të vazhdueshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt ambicieve të tyre evropiane.

Marketing

Theksi i veçantë në bisedime u vendos në Planin e veprimit për Tregun e përbashkët rajonal, i cili është pjesë e shtyllës së dytë të Planit të rritjes së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Murtezani dhe Kapetanoviq theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe konkurrueshmërisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim të integrimit në tregun e vetëm evropian, i cili paraqet një nga qëllimet kryesore të Planit të rritjes.

Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm konkluduan se zbatimi i Planit të veprimit është kyç për avancimin e integrimit ekonomik, si dhe krijimin e kushteve të favorshme për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve. Poashtu theksi u vendos në rëndësinë e bashkëpunimit në departamentet e energjisë, transportit dhe digjitalizimit, të cilat do ta përmirësojnë konkurrencën e rajonit dhe do të kontribuojnë në stabilitetin ekonomik të tij.

MÇE Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga Këshilli për të gjitha nismat që avancojnë dialogun dhe integrimin rajonal dhe riafirmoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të vazhduar përpjekjet e saj reformuese dhe për të investuar në integrimin ekonomik dhe harmonizimin me standardet evropiane.