Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku finalet e Kampionatit Europian U21 në vitin 2027. Por si përpara dhe pas zyrtarizimit të këtij vendimi nga UEFA, polemikat kanë qenë të shumta.
Në këtë debat, për herë të parë ka ndërhyrë edhe vetë presidenti i UEFA, Aleksandër Ceferin.
Në një intervistë për median sllovene “Delo”, ai ka thënë se si slloven e di mirë situatën në Ballkan, që është si gjithmonë një “minë me sahat”, por futbolli shkon përtej politikës.
“Interesant është fakti se federatat e futbollit në Shqipëri dhe Serbi, të përkrahura nga qeveritë e dy vendeve, kanë shprehur dëshirën për të organizuar këtë garë së bashku. Kjo është një dëshmi tjetër se sporti është mbi politikën. Sportet janë diçka e mirë. Është një mundësi e shkëlqyer për të treguar se futbolli është mbi politikën e përditshme”.
Shqipëria dhe Serbia do të ndajnë sfidat e finaleve të Euro 2027 për të rinjtë, ndërsa secili vend do të presë nga tetë përfaqësuese. Finalja e madhe e turneut do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.