Shkëndija synon fitoren ndaj Tikveshit, Klisman Cake flet para ndeshjes

Shkëndija rikthehet të luajë para tifozëve të saj të dielën, kur në Tetovë do të presë Tikveshin në kuadër të xhiros së 21-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë ndodhen në një moment pozitiv dhe synojnë të vazhdojnë me rezultate të mira, ndërsa para kësaj sfide për mediat foli mbrojtësi Klisman Cake.

Marketing

Forma e mirë dhe atmosfera pozitive

Mbrojtësi shqiptar theksoi se skuadra po kalon një periudhë shumë të mirë, si në aspektin e formës, ashtu edhe në atmosferën e brendshme të ekipit. “Ekipi ndodhet në një gjendje shumë të mirë, kemi një atmosferë shumë të mirë ndërmjet gjithë çunave. Vijmë pas dy fitoreve në kampionat dhe kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës dhe kjo në mënyrë natyrale sjell atmosferën. Por për ne ato kanë mbaruar, i kemi arkivuar dhe tani jemi përqendruar te ndeshja me Tikveshin që është kundërshtar serioz,” deklaroi Cake.

Përqendrim maksimal ndaj Tikveshit

Shkëndija synon të marrë maksimumin në këtë duel dhe sipas Cakes, skuadra është e gatshme për këtë sfidë. “Patjetër që po. Gjithmonë ne jemi gati për të hyrë në fushë për të marrë tre pikët, pasi edhe Tikveshi është skuadër që i duhen pikët. Por besoj se në Tetovë nuk do të mund të marrin pikë,” tha ai me bindje.

Ndeshja mes Shkëndijës dhe Tikveshit zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim nga ora 14:00.