Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian së shpejti do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, me të cilën Maqedonia do të marrë mbështetje shtesë për zbatimin e Strategjisë së specializimit të zgjuar në formë të ekspertizës dhe shkëmbimit të praktikave pozitive, metodologjive dhe qasjeve shkencore për përforcimin e sistemit kombëtar të kërkimit dhe inovacionit.
Me qëllim të finalizimit të dispozitave të marrëveshjes, sot në vizitë në Ispra të Italisë, ku ndodhet një nga shtatë institutet e Qendrës së Përbashkët Kërkimore, është ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila u takua me Sabine Hencler, drejtore e strategjive dhe ndikimeve të Qendrës.
“Ky bashkëpunim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Maqedoninë si vend në zhvillim. Jemi mirënjohës që morët pjesë në krijimin e Strategjisë për specializim të zgjuar të Maqedonisë dhe që vazhdoni të na ndihmoni në procesin e zbatimit. Natyrisht, se kemi nevojë për mbështetje për hartimin e instrumenteve të reja për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e tij dhe besojmë se me ekspertizën tuaj do të përforcojmë dukshëm kapacitetet e infrastrukturës kombëtare të kërkimit dhe inovacionit”, theksoi Janevska.
Iniciativa për thellimin e bashkëpunimit erdhi nga takimi i ministres Janevska dhe menaxhmenti i Qendrës gjatë Konferencës Ministrore për Arsim dhe Shkencë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Shkup.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, pritet të rritet lëvizshmëria e studiuesve maqedonas në institucionet shkencore të Qendrës së Përbashkët Kërkimore, si dhe pranimi i studentëve të doktoraturës dhe postdoktoraturës, organizimi i vizitave bilaterale, trajnime të përbashkëta, konferenca dhe ngjarje të tjera informative që kanë të bëjnë me specializimin e zgjuar.
Qendra e Përbashkët Kërkimore (Joint Research Centre) është qendër referimi për shkencën dhe teknologjinë e BE-së, e cila ofron mbështetje të pavarur shkencore dhe teknike për krijimin dhe zbatimin e politikave të Bashkimit.
Qendra është përfshirë edhe në procesin e zgjerimit të saj, nëpërmjet bashkëpunimit me vendet aplikuese, duke u ofruar atyre mbështetje teknike për zbatimin efikas të ligjeve evropiane në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Qendra ka shtatë institute në pesë vende të BE-së (Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë) që mbulojnë një gamë të gjerë temash, duke përfshirë: Zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndryshimet klimatike; Inovacioni dhe teknologjia; Energjia dhe transporti; Shëndeti dhe siguria ushqimore; Transformimi digjital.