Zeqirija Ibrahimi: Kujtojmë me nderim sakrificën e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së

Me rastin e Ditës së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Alternativës, z. Zeqirija Ibrahimi, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e thellë për sakrificën heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Epërm.

Marketing

“Në këto ditë marsi, ne përkulemi me nderim para sakrificës së paimagjinueshme të Familjes Jashari, e cila u bë themeli i lirisë së re të Kosovës. Vetëflijimi i Adem Jasharit dhe 57 anëtarëve të familjes së tij tronditi botën dhe ndezi flakadanin e lirisë, që u bë i pamposhtur. Ky akt sublim nuk la indiferent as botën e qytetëruar, e cila u detyrua të dëgjojë zërin e shqiptarëve për liri dhe dinjitet,” ka theksuar Ibrahimi.

Ai ka shtuar se historia e qëndresës së Prekazit është një testament i guximit dhe vendosmërisë shqiptare për liri dhe se dëshmorët e kombit do të kujtohen përjetësisht.

“Lavdi dhe përulje e përjetshme për të gjithë dëshmorët e lirisë! Zoti i pastë pranuar në mëshirën e Tij të pakufishme,” ka përfunduar ai.

Marketing