Mango kontribuon në kontrollin më të mirë të sheqerit në gjak

Pemët janë një pjesë thelbësore e një diete të shëndetshme, por hulumtimet e reja zbulojnë se ato sjellin edhe më shumë përfitime nga sa mendonim. Studimi i fundit tani lidh konsumin e mangos me përmirësimin e shëndetit të zemrës.

Marketing

Një studim i botuar në revistën Nutrients ekzaminoi ndikimin e mangos së freskët në proceset inflamatore dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës tek të rriturit obezë. Studimi përfshinte 48 persona të moshës 20 deri në 60 vjeç – gjysma e tyre konsumonin dy filxhanë mango në ditë, ndërsa grupi i kontrollit mori një ëmbëlsirë të barabartë me kalori.

Pas katër javësh, grupi që hëngri mango kishte përmirësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës, nivele më të ulëta të insulinës dhe funksion më të mirë të qelizave beta të pankreasit, të cilat janë thelbësore për rregullimin e sheqerit në gjak. Ky zbulim sugjeron se konsumimi i rregullt i mangos mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 dhe kështu të ketë një ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës, raporton Best Life.

Mango është plot me antioksidantë që kontribuojnë në kontrollin më të mirë të sheqerit në gjak, shkruan Index.hr.

“Përmirësimi i ndjeshmërisë ndaj insulinës nuk është i rëndësishëm vetëm për kontrollin e sheqerit në gjak, por edhe për parandalimin e diabetit. Hulumtimi ynë tregon se shtimi i mangos në dietën tuaj mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe e shijshme për të mbështetur shëndetin metabolik”, vuri në dukje udhëheqësi i studimit Indika Edirisinghe, professor i shkencave ushqimore.

Pavarësisht përmbajtjes natyrale të sheqerit, mango nuk shkaktoi shtim në peshë. Për më tepër, ndërsa grupi i kontrollit fitoi pak më shumë peshë, pesha e pjesëmarrësve që hëngrën mango mbeti e pandryshuar.

Shkencëtarët besojnë se arsyeja mund të jetë përmbajtja e lartë e antioksidantëve në mango, e cila kontribuon në kontrollin më të mirë të sheqerit në gjak. “Këto gjetje hedhin poshtë mitin se mangot ju shëndoshin ose janë të dëmshme për diabetin. Përkundrazi, ato mund të jenë një alternativë më e shëndetshme ndaj ushqimeve të tjera të ëmbla”, shton Edirisinghe.

Marketing