Po afrohet dita në të cilën Gjykata Kushtetuese do të diskutojë ligjin për gjuhën shqipe. Nga organi më i lartë në vend konfirmojnë për TV21 se më datë 20 Mars 2025 është vendosur në rend të ditës nisja për seancë konsultative me ekspertë të fushës. Nga VLEN thonë se ligji nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve, megjithatë duhet siç është duhet të zbatohet. Bilall Kasami nga L.Besa tha se kushtetuesja nuk duhet të merret me çështje politike.,
“Gjykata Kushtetuese nuk duhet të merret më çështje politike, sigurisht që ligji si i tillë nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve, por duhet të implementohet. Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese ka çështje tjera shumë të rëndësishme, të cilat duhet ti zgjedh sa i përket kushtetutshmërisë. Në këtë drejtim po të ketë çfarëdolloj diskutimi për Ligjin e gjuhëve, uroj që Gjykata Kushtetuese të sjell vendime në drejtim të zbatimit dhe ky ligj të jetë praktik në interes të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”, tha Bilall Kasami
Nga Fronti Evropian bëjnë thirrje se gjuha shqipe nuk guxon të preket. Deputetja e opozitares shqiptare Ilire Dauti tha se vet fakti i mbajtjes së hapur të lëndës në kushtetuese të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë që shqiptarët të ndihen të pasigurtë në përdorimin e gjuhës shqipe.
“Se nuk ja kanë lënë drejtësisë shumë çështje të caktuara veç se e kanë vërtetuar, duke filluar që nga shkelje të rënda që kanë bërë, nga largimi i balancuesit që prapa vetës kishte edhe largimin e së drejtës së deklarimit të përkatësisë etnike. Të gjitha këto janë të shkruara në programin e VMRO-së, prandaj çdo tentativë, për tu paraqitur se gjoja këto çështje ia lënë drejtësisë janë veç tentativa të dështuara sepse vet e kanë dëshmuar të kundërtën”, tha Ilire Dauti
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ishte seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese e mbajtur për nismën e 13 subjekteve, në mesin e të cilave edhe LEVICA dhe VMRO-DPMNE, kundër Ligjit të gjuhës shqipe. Atë periudhë u shoqëruan me protesta të organizuara nga Fronti Evropian, duke dhënë mesazhe për mos prekjen e këtij ligji, i cili sipas tyre ishte njëri nga bazat e Marrëveshjes së Ohrit pas konfliktit 2001.