Hapet konkursi për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë në ARM

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shpallur konkursin për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut (ARM). Lajmin e ka bërë të ditur edhe ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, përmes një postimi në Facebook.

“Dua të njoftoj se sot kemi shpallur konkursin publik për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë dhe 10 nënoficerëve në ARM. Gjithashtu, do të shpallet edhe konkursi për pranimin e 60 personave me arsim të lartë për gradën e oficerit. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë e motivuar nga të gjitha komunitetet etnike, të cilët dëshirojnë t’i përkushtohen karrierës ushtarake dhe të mbrojnë sigurinë e shtetit dhe qytetarëve,” shkroi Misajllovski.

Kushtet për aplikim

Sipas konkursit, për të aplikuar për pozitën e ushtarit profesionist, kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere:

✅ Të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut
✅ Të jenë në moshë madhore dhe të kenë përgatitje të mirë shëndetësore dhe fizike
✅ Të kenë përfunduar arsimin e mesëm
✅ Të mos jenë më të vjetër se 25 vjeç në ditën e përfundimit të konkursit

Përfitimet dhe detajet e punës
• Paga fillestare është 30,552 denarë, me një shtesë mbi 12,000 denarë për mbulimin e shpenzimeve të akomodimit.
• Orari i punës: 08:00 – 16:00.
• Kontrata: Fillimisht 4 vite me mundësi vazhdimi deri në moshën 45 vjeç.
• Kandidatët do të nënshtrohen testeve përgatitore fizike dhe shëndetësore.
• Gjithashtu, inkurajohen të aplikojnë edhe vajzat dhe gratë që plotësojnë kriteret.

Afati dhe mënyra e aplikimit

Konkursi është i hapur për 15 ditë, duke përfshirë ditën e shpalljes. Kandidatët mund të aplikojnë:
• Online, duke dërguar dokumentet në emailin zyrtar: [email protected]
• Duke dorëzuar dokumentet fizikisht në Departamentet e Mbrojtjes në qytetet e tyre.

Për më shumë informacion dhe dokumentet e nevojshme, kandidatët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes: www.mod.gov.mk

Marketing