REL: Serbët nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

“Kemi ardhur nga Kosova. Vullnetarisht. Askush nuk na organizoi”, tha për Radion Evropa e Lirë një nga të mbledhurit në Parkun e Pionierit në Beograd, ku është ngritur një kamp i studentëve, që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Në shtatë ditët e fundit, Parku i Pionierit, i cili gjendet pranë institucioneve më të rëndësishme shtetërore të Serbisë, është bërë vend i protestave të studentëve, të cilët kërkojnë t’iu mundësohet ndjekja e ligjëratave në universitete.

Në këtë lokacion, aktualisht, gjenden edhe pjesëtarë të Njësisë së shpërbërë të Operacioneve Speciale (JSO), komandantët e së cilës janë dënuar për krime lufte dhe likuidime politike; zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, si dhe një grup më i madh njerëzish nga Kosova. Për disa nga ta, mbështetja e kërkesave të “studentëve që duan të mësojnë”, nuk është motivi parësor për të qenë aty.

“Ne kemi ardhur për të mbështetur presidentin Aleksandar Vuçiç, i cili është gjithmonë me ne”, thotë për Radion Evropa e Lirë një qytetar që prezantohet si Tihomiri nga Kosova.

I pyetur se sa kohë planifikojnë të qëndrojnë në Parkun e Pionierit, ai përgjigjet shkurtimisht: “Aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Marketing