Të rriturit që flenë një numër të pamjaftueshëm orësh në fazën më të thellë dhe me valë të ngadaltë të gjumit – REM – kanë më shumë gjasa të përjetojnë një reduktim të vëllimit të një zone të trurit të lidhur me zhvillimin e sëmundjes Alzheimer.
Një studim i ri amerikan ka vërejtur tek këta individë me mungesë gjumi të qetë një atrofi më të shpeshtë të zonës së poshtme parietale të trurit, vendimtare për funksionimin korrekt cerebral dhe kognitiv.
Atrofia shpesh zbulohet tek pacientët me këtë sëmundje dhe konsiderohet si një nga shenjat e para që pacienti vuan nga Alzheimer.
Faza REM e gjumit në fakt funksionon si një “pastrues” i mbetjeve toksike të grumbulluara gjatë ditës nga truri – qelizat e vdekura aktuale, por edhe lodhja mendore – dhe ndihmon në konsolidimin e kujtimeve, përpunimin e ngjarjeve dhe mendimeve dhe përgatitjen e trurit për ditën e ardhshme, shkruan ANSA.
Hulumtimi në shkollën e mjekësisë ”Yale” ndoqi për vite me radhë 270 persona të moshës mesatare 61 vjeç, të gjithë të shëndetshëm në fillim të testeve.
Pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve njohëse, testeve radiologjike të trurit dhe analizave të gjumit: ata që flinin më pak orë në fazën REM, me gjumë të ndërprerë ose të pamjaftueshëm, shfaqën më shpesh një tkurrje të zonës së poshtme parietale të trurit.
”Kur arkitektura e gjumit ndryshon”, shpjegon hulumtimi, i publikuar në “Journal of Clinical Sleep Medicine”, atëherë ndikimi në tru është potencialisht i fortë”, transmeton KosovaPress.
”Këto rezultate tregojnë sesi reduktimi i aktivitetit neurologjik gjatë gjumit, me mungesën e aktivizimit të fazës REM, mund të kontribuojë në uljen e masës së trurit dhe në këtë mënyrë të rrisë rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit”, komentoi autori i studimit Gawon Cho.
